Saturday, December 1, 2012

SHKOLLA E PARË SHQIPE NË LEKDUSH




           Gjuha shqipe, më e lashta e kontinentit plak, është visari më i çmuar që ka krijuar geni i shqiptarit. Është theksuar e theksohet gjithnjë e më me forcë nga dijetarët se kështjella të pamposhtura ku shqiptari ka ruajtur identitetin, pastërtinë e rracës dhe gjuhës, një fosil i gjallë i pellazgjishto-ilirishtes, ka qenë marrë shembull i malsisë së Kurveleshit dhe Labërisë, ashtu si dhe Malsia e Shoshit, Mirditës, Dibrës, Skraparit etj. Rruga e gjatë e me shumë sakrifica për mësimin e gjuhës shqipe, do të vazhdonte edhe nga patriotët e atdhetarët e trevës së Labërisë. Ata gjithmonë na kujtojnë rrugët për të gjetur dritën. Vitet e para të shekullit të XX , ngjajnë si shkallët e fundit të daljes nga bodrumi i errësirës në dritë. Organizimi dhe përkushtimi i atdhetarëve që përfshiheshin në vilajetet e truallit arbëror, kishin kohë që përpiqeshin të vinin në jetë idetë e rilindësve tanë të mëdhenj, të shprehura aq bukur në vargjet e poetit: “ Me pushkë e penë, për Mëmëdhenë”.  Çelja dhe përhapja e Klubeve atdhetare e Kulturore ishte një nga format e atyre përpjekjeve për përgatitjen e çlirimit kombëtar. Në atë rrjedhë të pakthyeshme të historisë, me figura të tilla si Ismail Qemali, Hasan Prishtina e shumë të tjerë, bënë të pamundurën për të hapur klubet atdhetare e kulturore dhe përhapjen e letrave shqipe, por këto nuk do mjaftonin pa një përgatitje edhe për çlirimin e plotë nga zgjedha e huaj. Thënia e madhe e Sami Frashërit: “E drejta pa fuqinë është si zogu pa një krah”, kishte hedhur rrënjë në shpirtin e jerëzve të këtyre trevave. Në ato ditë të rrëmbyera u bënë bashkë përpjekjet e iluministëve dhe luftëtarëve për të gjitha trevat shqiptare. Mësuesi i shqipes në Robert Kolegjin e Stambollit, i Madhi Sali Nivica, kërkonte hapjen e shkollave shqipe në trevën malore të Kurveleshit, ashtu si e kërkonte dhe Sinan Kërpi e shumë patriotë të tjerë. Si rezultat i përpjekjeve të pa rreshtura të këtyre burrave të nderuar, Klubi Atdhetar e Kulturor në Progonat dhe banorët arsimdashës të kësaj treve e bënë realitet ëndrrën shumëshekullore, ndezën më 1908 dritën e pashuar të mësimit të gjuhës shqipe e cila ishte ndezur për pak kohë edhe shekuj më parë, në vitin e largët 1737, në Himarën e burrave të mençur e trima, ku ishte hapur shkolla shqipe nga misionarët arbëreshë, duke patur si tekst bazë doktrinën e krishterë të Budit. Kurveleshasit në këtë kohë i dërguan bijtë e tyre në këto shkolla te vëllezërit himariotë të cilët  i lidhte historia e përbashkët dhe e gjatë për liri kundër pushtuesve osmanë. Kjo krahinë e bukur arbërore, pranohej dhe në hartat e pushtuesve, që është njohur herë me emrin Kurvelesh, herë me emrin Himarë dhe herë me emrin e madh Labëri.
            Më 1908 në Progonat, kryetar i Klubit Atdhetar “ARBËRIA” u zgjodh atdhetari Shaqo Buxo dhe sekretar Arif Toto. Për këtë ngjarje historike, u organizua një takim mbarë lab me këngë e valle sipas traditës. Vallen e parë e hoqi Arif Daci nga Progonati. Mes entusiazmit dhe gëzimit, ndënë hijen e rrepeve madhështorë në qëndër të fshatit u këndua edhe kënga: “Jakë, jakë shqipëtarë, gjithë bashkë e të pa ndarë...”
Megjithatë,  autoritetet osmane me forcën e pushtetit që zotëronin e mbyllën Klubin “Arbëria” më 1909 - 1910. Por atdhetarët labë të cilët kishin sakrifikuar dhe kishin marrë rezikun në sy për këtë mision fisnik, më 17 qershor 1911 e rihapën për të mos u mbyllur më kurrë.
           Tashmë u provua nga patriotët shqiptarë se jehona e bujshme e Kushtetutës së re turke, ishte vetëm një demagogji. Asgjë të vërtetë nuk kishte për të drejtat dhe liritë politike, të barazive të kombeve që ishin nën zgjedhën osmane.Kjo politikë farsë me demagogji pushtuese e shtypëse, padyshim, krijoi urrejten pa kufi jo vetëm nga populli shqiptar, por edhe kushte për një luftë me forma të reja ndaj forcave dhe udhëheqësve të tyre osmane. Kjo situatë në këtë kohë, do krijonte mundësi që edhe në Kurvelesh krahas përhapjes  e propagandimit të ideve të Rilindjes Kombëtare dhe përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe, nëpërmjet Klubit "Afërdita" të themeluar më 20 mars 1909 me qendër në Kuç, të synohej gjithashtu në përgatitjen e kryengritjes së armatosur e të ruheshin institucionet e vetqeverisjes. Për të argumentuar më saktë, në përpjekjet dhe luftën patriotike në Kurvelesh, shkëputim një fragment nga relacioni që i dërgon konti Frosard nga Janina kontit Erental në lidhje me organizimin e lëvizjes patriotike në Jug.. më 20 korrik 1911.
         " Shumë i nderuar kont! ...Brenda pak ditëve në Tepelenë, u formua një organizatë prej gati 300 vetësh, ndërsa 400 rrebelat e ikur nga Gjirokastra, ndodhen lart në male vetëm disa orë larg këtij lokaliteti, bashkë me 200 vetët e mbledhur në Progonat (Kurvelesh) si dhe me çetat e tjera të vogla të shpërndara; numri i përgjithshëm i personave që kanë marrë pjesë në kryengritje është 2500-300 vetë. Në Progonat janë mbledhur aktualisht klubet e organizatave dhe duke qenë të lidhur ngushtë me Ismail Qemal Beun, që është shpirti i lëvizjes dhe me udhëheqësit e Veriut, ata po bisedojnë mbi të ardhmen e afërt. Ndërsa deri dje ata dukeshin se ishin të vendosur që dëshirat e kombit t'i shprehin me kërkesa radikale,  në orën e fundit ata janë larguar prej kërkesës së një autonomie të plotë dhe dashkan vetëm të forcojnë plotësimin e atyre kërkesave , që toskëve t'u sigurojnë një zhvillim kulturor kombëtar  pa pengime... Frosard..!
            Në çdo vatër e mendje të këtyre banorëve, ishte edhe jehona e Kongresit të Manastirit që zhvilloi punimet më 2-3 prill 1910, e cila kishte arritur pikën kulmore dhe në gjithë vendin ishte përhapur një lëvizje popullore kundër përpjekjeve të xhonturqve për t'u imponuar shqiptarëve të mësonin e shkruanin alfabetin arab. Sikurse dëshmon “Zëdhënia” që klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndau me këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte diskutimi i çështjeve që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e kulturës kombëtare si dhe kundër reaksionit dhe politikës asimiluese xhonturke (turqit e rinj). Ky kongres shtroi marrjen e masave të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Kongresi i Dytë i Manastirit, ishte një manifestim  politik mbarë kombëtar shqiptar, ku u shpreh protesta kundër përndjekjeve ndaj shkollës dhe alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe nga Porta e Lartë. “Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave  -do theksonte rilindësi Dervish Hima në Kongresin e Dytë të Manastirit, -prandaj; “ne që jemi mbledhur këtu bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do ti mbrojmë me çdo mjet shkronjat tona kombëtare..."    Patriotët e mësimdashësit nga treva e Kurveleshit të nisur  nga "Klubi Xgjimi i Shqipërisë"  në Janinë, Isuf Bushi-Bolena, Sinan Tare-Lekdushi, Rushit Jupe-Progonati, Xhevit Sulo-Lekdushi, Bilal Rukia-Gusmari, Shuko Dalipi-Rexhini etj., merrnin dhe shpërndanin abetare, libra  dhe revista në gjuhën shqipe në gjithë këtë trevë malore, duke i fshehur në samarët e mushkave e të kuajve. Po në këtë vit, ishte Komiteti i fshehtë pranë këtij Klubi që më 1911 organizoi Kryengritjen në Kurvelesh. Më 17 qershor 1911 çeta e Kurveleshit me komandant Veip Runa nga Nivica, ngriti Flamurin Kombëtar në vendin e quajtur “Lisat e Kadhe”, atje ku organizoheshin e mbaheshin Kuvendet, për të vazhduar e kurorëzuar ngritjen e Tij në Progonat e në gjithë fshatrat e tjerë, si rezultat i një bashkëpunimi e mirëkuptimi mbarë krahinor. Në Progonat ishte çelur shkolla turqisht (mejtepi) qysh më 1865. Mësues i parë në këtë shkollë ka qënë Mulla Selimi nga Fterra.
      Të njëjtën dëshirë kishte dhe Sinan Kërpi i cili kthehet nga mërgimi dhe çeli të parën shkollë shqipe në fshatin tonë Lekdush. Sinani u lind në Lekdush të Kurveleshit më 5 qershor 1880, në një periudhë që përkon me një nga gnjarjet më të ndritura e më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, me Lidhjen e Prizrenit, shekulli i shpërthimit të energjive të burrave të Kombit. Ai u lind në një kohë kur fjalët:  dritë, dituri, liri , komb, atdhe, u ndien më me forcë në ndërgjegjen kombëtare. Të gjithë jemi krenarë për Kurveleshin tonë heroik ashtu si për shumë burra të shquar të kësaj treve, që përkrahën dhe morën pjesë aktive në gnjarjet historike të atij shekulli diellor. Aty në ato male janë lindur e rritur shumë bij të shquar si Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Hodo e Sali Nivica, Belul Toto e Ismail Lesko Progonati  dhe shumë lekdushas si Zano Imeri, Hodo Hysenaj, Hasan Bilushi, Luman Brahimi, Çelo Sinanagaraj, Labë Hyseni, Hito Habili, Bedo Çulli, Tare Banushi e dhjetra të tjerë.  Në gusht të vitit 1890, Sinanin e merr i ati Tare Kërpi i cili me shumë bashkëfshatarë lekdushas në atë periudhë tepër të vështirë, punonin në Janinë dhe rrethinat e saj, për të ndihmuar familjet e tyre. Në fshatin Mosare (Mosar) afër Janinës, Sinani do fillojë shkollën fillore dhe do mbarojë pesë klasë me rezultate shumë të mira. Në vitin e tretë të shkollës i vdes i ati dhe e merr nën kujdes i ungji i tij, Nezim Kërpi. Ky burrë i nderuar e atdhetar, e  ndihmon Sinanin të mbarojë shkollën fillore dhe më tej të vazhdojë shkollën e mesme, të famshmen "ZOSIMEA" ku edhe aty shquhet për rezultate të mira në mësime. Në atë shkollë kishin mësuar mjaft shqiptarë të tjerë si Abdyl, Naim e Sami Frashëri si dhe mjaft kurveleshas.  Në kujtimet e tij gjatë viteve që jetoi  në fshat, Sinani ndër të tjera kujton:
           Në prill të vitit 1919 pas 10 vjetësh të tjera mërgim në Amerikë u ktheva bashkë me disa nga bashkëfshatarët e mi dhe nga ajo ditë vendosa të qëndroj në Lekdush. U dëshpërova shumë për gjendjen e rëndë ekonomike, por  më shumë  për mungesën e shkollës. Në disa fshatra fqinjë të Kurveleshit të Sipërm si në Progonat, Nivicë e gjetkë, shkollat shqipe ishin çelur kohë më parë, kurse Lekdushi vazhdonte të ishte pa shkollë. Prandaj në vjeshtë, 22 nëntor 1919, mora inisiativën për të çelur shkollën shqipe në fshat. Për këtë çështje shkova disa herë në Tepelenë dhe tri herë në Vlorë ku u takova me prefektin Said (Seit) Qemali (Shurdhi) vëllai i Ismail Qemalit, të cilin e njihja pak që kur isha në Janinë. Në këtë kohë Shqipëria e Jugut ishte nën okupacionin e Italisë. Megjithatë sipas kërkesës time, ai u përpoq shumë për të nxjerrë vendimin, por gjente pengesa nga guvernatori italian i cili kërkonte që në fshat të mësohej edhe gjuha italiane. Kur prefekti më vuri në dijeni për këtë, unë i them: -Ç’thua kështu zoti Said, nuk mjafton që na kanë zaptuar vendin po dashkan të na ndërrojnë dhe gjuhën”? Dhe Saidi më thotë: -Ke të drejtë zoti Sinan, por mos harro, kam besim se së shpejti kemi për t’i shporrur për nga kanë ardhur. Pastaj ai më siguroi për nxjerrjen e vendimit dhe më porositi që përgjigjen ta prisja pas tri ditësh në Tepelenë. E falenderova atë burrë të nderuar dhe u nisa deri në Tepelenë me një makinë të ushtrisë italiane. Aty qëndrova për të pritur përgjigjen. Pas tri ditësh kur po rrija në kafene të Ramo Totës nga Lekdushi, erdhi një karabinier shqiptar dhe më lajmëroi se më kërkonin në nënprefekturë. Atje më pritnë nënprefekti Sulo Shehu dhe sekretari Luto Bektashi të cilët duke qeshur më thonë: Urime Sinan, do na gostitësh (qerasësh shënimi im) se erdhi urdhëri telegrafik nga Vlora që të hapet shkolla në Lekdush dhe ti emërohesh mësues i shkollës. U gëzova shumë. Më përgatitën lejen zyrtare për hapjen e shkollës. Të nesërmen shkova në Lekdush dhe ia dorëzova lejen kryesisë së fshatit. Mbas tre-katër ditësh shkova përsëri në Vlorë dhe mora disa tekste abetare të përgatitura nga mësonjësi Kol Kamësi në dialektin gegërisht. Por gjeta belanë se librari donte të më jepte edhe një sasi librash italisht. Unë i refuzova e nuk i mora. I them se nuk kemi mësuar akoma shkrimin shqip. Shkollën e çela më datën 22 nëntor 1919 me 64 nxënës, djem e vajza. Fillimisht si klasë mësimi bëmë haurin e Mete Llapit e më vonë morëm haurin e Belul Zenelit. Nxënësit e mi të parë janë Bilush Shehu, Axhem Shehu, Nehat Serjani, Memo Gaxhaj, Luto Shehu etj. Nxënësit ishin të zellshëm për të mësuar. Por çudia do të ndodhte kur akoma nuk kishin kaluar as dy muaj nga çelja e saj, disa nga fshatarët nuk e shikonin me sy të mirë hapjen e shkollës. Filluan të flisnin se Sinan Kërpi e bëri shkollën Amerikë të dytë. Sipas mendimit të tyre unë e hapa që të merrja rrogën duke ndenjur edhe pse unë paguhesha nga prefektura e Vlorës me 250 lireta në muaj. Duke mos e kuptuar rëndësine e shkollës, një ditë, disa nga ata kishin dërguar Mujo Hysin i cili ishte bekshiu i fshatit, për të mbyllur shkollën. Ai kishte shkuar që në mëngjez në shkollë i kishte nxjerrë nxënësit jashtë dhe u kishte shuar zjarrin. Kur shkova unë, nxënësit i gjeta jashtë. Pyeta Bilushin të cilin e kisha caktuar kujdestarin e klasës, pse nuk kishin hyrë brënda. Bilushi më tregoi me dorë Mujon. E pyes Mujon ç’farë kishte ndodhur. Ai më thotë se më ka urdhëruar këshilli i fshatit ta mbyll dhe ata kanë marrë urdhër nga qeveria. Shkova e takova Rakip Xhekën e Shaqo Karanin dy bashkëfshatarët e mi. Ata më thonë se kemi urdhër nga karabinieria e Progonatit që ta mbyllim. Po atë ditë unë shkova në Progonat dhe protestova te marshalli i karabinierisë i cili në fakt nuk kishte fare dieni. Kuptova që mendimi i këtyre bashkëfshatarëve, ishte thjesht një veprim i pa matur. Të nesërmen erdhën në fshat pesë xhandarë. I thirrën ata të tre por gjetën vetëm Rakip Xhekën se të tjerët ishin fshehur. Pasi ikën xhandarët, fajtorët erdhën e m’u lutën që t’i falja. Po atë ditë shkova në Progonat dhe iu luta marshallit që t’i falte duke e sqaruar se e kanë bërë nga që nuk dinë. Marshalli nuk i thirri as Shaqon as Mujon, por Rakipin e kapën dhe e morën. Më erdhi keq për të gjorin, nuk kishte me vete as të holla dhe unë i dhashë 8 lireta e gjysmë. Rakipin e dërguan në Vlorë dhe e dënuan gjashtë muaj burg. Më erdhi keq që këta njerëz të mirë të cilët nuk e kuptonin rëndësinë që kishte shkolla shqipe, kërkonin që ajo të mbyllej! Në Lekdush me sa mbaj mend unë,  kurrë nuk ishte hapur asnjë shkollë as turke e as greke, ishte hera e parë që u hap shkolla shqipe.
Kushtet ku mësonin nxënësit ishin mjaft të vështira, nuk kishim as banka e as libra. Ato pak abetare që unë mora në Vlorë në dialektin gegërisht, i përshtata në dialektin toskërisht. Megjithë vështirësitë dhe kushtet e papërshtatshme, unë ia arrita qëllimit dhe hapa shkollën në fshat. Sot e ndjej veten të lumtur për atë shkëndijë të vogël drite që ndeza dikur në fshatin tynë të dashur Lekdush. Për ato vite mund të flasë dhe nxënësi im Bilush Shehu i cili ishte dhe kujdestari i klasës i cili  ishte më i madh në moshë nga të tjerët, por edhe të tjerë si Nehat  Serjani, Axhem Shehu, Memo Gaxhaj etj. Vazhdova punën e mësuesit  deri në fund të qershorit 1920 sepse qysh më 20 maj të atij viti, kishte ardhur urdhëri i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare i cili kërkonte vullnetarë për çlirimin e Vlorës nga okupacioni italian. U nisa për në Vlorë me grupin e parë të lekdushasve burra të armatosur, Belul Zeneli, Shefqet Shehu, Dervish Çulli, Salldin Brahimi, Selim Zanaj dhe më datën 2 qershor, mbritëm në Beun të Vlorës. Grupi tjetër i përbërë nga 53 burra lekdushas me kryetar Muharrem Meçaj, shkuan për çlirimin e Tepelenës nga forcat italiane që kishin pushtuar këtë qytet. Në këtë periudhë tre mujore që unë  qëndrova në luftën e Vlorës,  mësues në shkollën e fshatit  shkoi  bashkëfshatari im Muharrrem Mullai...
           Athinë  26.08.2011                                                                                               Luan Ziflo