
Më 1908 në Progonat, kryetar i Klubit
Atdhetar “ARBËRIA” u zgjodh atdhetari Shaqo Buxo dhe sekretar Arif Toto. Për
këtë ngjarje historike, u organizua një takim mbarë lab me këngë e valle sipas
traditës. Vallen e parë e hoqi Arif Daci nga Progonati. Mes entusiazmit dhe
gëzimit, ndënë hijen e rrepeve madhështorë në qëndër të fshatit u këndua edhe
kënga: “Jakë, jakë
shqipëtarë, gjithë bashkë e të pa ndarë...”
Megjithatë, autoritetet osmane me forcën e pushtetit
që zotëronin e mbyllën Klubin “Arbëria” më 1909 - 1910. Por atdhetarët labë të
cilët kishin sakrifikuar dhe kishin marrë rezikun në sy për këtë mision fisnik,
më 17 qershor 1911 e rihapën për të mos u mbyllur më kurrë.

" Shumë i nderuar kont! ...Brenda pak ditëve në Tepelenë, u formua një
organizatë prej gati 300 vetësh, ndërsa 400 rrebelat e ikur nga Gjirokastra,
ndodhen lart në male vetëm disa orë larg këtij lokaliteti, bashkë me 200 vetët
e mbledhur në Progonat (Kurvelesh) si dhe me çetat e tjera të vogla të
shpërndara; numri i përgjithshëm i personave që kanë marrë pjesë në kryengritje
është 2500-300 vetë. Në Progonat janë mbledhur aktualisht klubet e organizatave
dhe duke qenë të lidhur ngushtë me Ismail Qemal Beun, që është shpirti i
lëvizjes dhe me udhëheqësit e Veriut, ata po bisedojnë mbi të ardhmen e afërt.
Ndërsa deri dje ata dukeshin se ishin të vendosur që dëshirat e kombit t'i
shprehin me kërkesa radikale, në orën e fundit ata janë larguar prej
kërkesës së një autonomie të plotë dhe dashkan vetëm të forcojnë plotësimin e
atyre kërkesave , që toskëve t'u sigurojnë një zhvillim kulturor kombëtar
pa pengime... Frosard..!
Në çdo vatër e mendje të këtyre banorëve,
ishte edhe jehona e Kongresit të Manastirit që zhvilloi punimet më 2-3 prill
1910, e cila kishte arritur pikën kulmore dhe në gjithë vendin ishte përhapur
një lëvizje popullore kundër përpjekjeve të xhonturqve për t'u imponuar
shqiptarëve të mësonin e shkruanin alfabetin arab. Sikurse dëshmon “Zëdhënia”
që klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndau me këtë rast, qëllimi i këtij
Kongresi ishte diskutimi i çështjeve që kishin të bënin me mbrojtjen e
shkollës, të shkrimit e kulturës kombëtare si dhe kundër reaksionit dhe
politikës asimiluese xhonturke (turqit e rinj). Ky kongres shtroi marrjen e
masave të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe zhvillimin
e kulturës shqiptare në përgjithësi. Kongresi i Dytë i Manastirit, ishte një
manifestim politik mbarë kombëtar shqiptar, ku u shpreh protesta kundër
përndjekjeve ndaj shkollës dhe alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e
Përparim” dhe nga Porta e Lartë. “Na
kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave -do theksonte
rilindësi Dervish Hima në Kongresin e Dytë të Manastirit, -prandaj; “ne që jemi
mbledhur këtu bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do ti mbrojmë me çdo mjet
shkronjat tona kombëtare..." Patriotët e
mësimdashësit nga treva e Kurveleshit të nisur nga "Klubi Xgjimi i
Shqipërisë" në Janinë, Isuf Bushi-Bolena, Sinan Tare-Lekdushi,
Rushit Jupe-Progonati, Xhevit Sulo-Lekdushi, Bilal Rukia-Gusmari, Shuko
Dalipi-Rexhini etj., merrnin dhe shpërndanin abetare, libra dhe revista
në gjuhën shqipe në gjithë këtë trevë malore, duke i fshehur në samarët e mushkave
e të kuajve. Po në këtë vit, ishte Komiteti i fshehtë pranë këtij Klubi që më
1911 organizoi Kryengritjen në Kurvelesh. Më 17 qershor 1911 çeta e Kurveleshit
me komandant Veip Runa nga Nivica, ngriti Flamurin Kombëtar në vendin e quajtur
“Lisat e Kadhe”, atje ku organizoheshin e mbaheshin Kuvendet, për të vazhduar e
kurorëzuar ngritjen e Tij në Progonat e në gjithë fshatrat e tjerë, si rezultat
i një bashkëpunimi e mirëkuptimi mbarë krahinor. Në Progonat ishte çelur
shkolla turqisht (mejtepi) qysh më 1865. Mësues i parë në këtë shkollë ka qënë
Mulla Selimi nga Fterra.
Të njëjtën dëshirë kishte dhe Sinan Kërpi i cili kthehet nga
mërgimi dhe çeli të parën shkollë shqipe në fshatin tonë Lekdush. Sinani u lind
në Lekdush të Kurveleshit më 5 qershor 1880, në një periudhë që përkon me një
nga gnjarjet më të ndritura e më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, me
Lidhjen e Prizrenit, shekulli i shpërthimit të energjive të burrave të Kombit.
Ai u lind në një kohë kur fjalët: dritë, dituri, liri , komb, atdhe, u ndien më me forcë në ndërgjegjen
kombëtare. Të gjithë jemi krenarë për Kurveleshin tonë heroik ashtu si për
shumë burra të shquar të kësaj treve, që përkrahën dhe morën pjesë aktive në
gnjarjet historike të atij shekulli diellor. Aty në ato male janë lindur e
rritur shumë bij të shquar si Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Hodo e Sali Nivica,
Belul Toto e Ismail Lesko Progonati dhe shumë lekdushas si Zano Imeri,
Hodo Hysenaj, Hasan Bilushi, Luman Brahimi, Çelo Sinanagaraj, Labë Hyseni, Hito
Habili, Bedo Çulli, Tare Banushi e dhjetra të tjerë. Në gusht të vitit
1890, Sinanin e merr i ati Tare Kërpi i cili me shumë bashkëfshatarë lekdushas
në atë periudhë tepër të vështirë, punonin në Janinë dhe rrethinat e saj, për
të ndihmuar familjet e tyre. Në fshatin Mosare (Mosar) afër Janinës, Sinani do
fillojë shkollën fillore dhe do mbarojë pesë klasë me rezultate shumë të mira.
Në vitin e tretë të shkollës i vdes i ati dhe e merr nën kujdes i ungji i tij,
Nezim Kërpi. Ky burrë i nderuar e atdhetar, e ndihmon Sinanin të mbarojë
shkollën fillore dhe më tej të vazhdojë shkollën e mesme, të famshmen
"ZOSIMEA" ku edhe aty shquhet për rezultate të mira në mësime. Në atë
shkollë kishin mësuar mjaft shqiptarë të tjerë si Abdyl, Naim e Sami Frashëri
si dhe mjaft kurveleshas. Në kujtimet e tij gjatë viteve që jetoi
në fshat, Sinani ndër të tjera kujton:
Në prill të vitit 1919 pas 10 vjetësh të tjera mërgim në Amerikë u ktheva
bashkë me disa nga bashkëfshatarët e mi dhe nga ajo ditë vendosa të qëndroj në
Lekdush. U dëshpërova shumë për gjendjen e rëndë ekonomike, por më shumë
për mungesën e shkollës. Në disa fshatra fqinjë të Kurveleshit të Sipërm
si në Progonat, Nivicë e gjetkë, shkollat shqipe ishin çelur kohë më parë,
kurse Lekdushi vazhdonte të ishte pa shkollë. Prandaj në vjeshtë, 22 nëntor
1919, mora inisiativën për të çelur shkollën shqipe në fshat. Për këtë çështje
shkova disa herë në Tepelenë dhe tri herë në Vlorë ku u takova me prefektin
Said (Seit) Qemali (Shurdhi) vëllai i Ismail Qemalit, të cilin e njihja pak që
kur isha në Janinë. Në këtë kohë Shqipëria e Jugut ishte nën okupacionin e
Italisë. Megjithatë sipas kërkesës time, ai u përpoq shumë për të nxjerrë
vendimin, por gjente pengesa nga guvernatori italian i cili kërkonte që në
fshat të mësohej edhe gjuha italiane. Kur prefekti më vuri në dijeni për këtë,
unë i them: -Ç’thua kështu zoti Said, nuk mjafton që na kanë zaptuar vendin po
dashkan të na ndërrojnë dhe gjuhën”? Dhe Saidi më thotë: -Ke të drejtë zoti
Sinan, por mos harro, kam besim se së shpejti kemi për t’i shporrur për nga
kanë ardhur. Pastaj ai më siguroi për nxjerrjen e vendimit dhe më porositi që
përgjigjen ta prisja pas tri ditësh në Tepelenë. E falenderova atë burrë të
nderuar dhe u nisa deri në Tepelenë me një makinë të ushtrisë italiane. Aty
qëndrova për të pritur përgjigjen. Pas tri ditësh kur po rrija në kafene të
Ramo Totës nga Lekdushi, erdhi një karabinier shqiptar dhe më lajmëroi se më
kërkonin në nënprefekturë. Atje më pritnë nënprefekti Sulo Shehu dhe sekretari
Luto Bektashi të cilët duke qeshur më thonë: Urime Sinan, do na gostitësh
(qerasësh shënimi im) se erdhi urdhëri telegrafik nga Vlora që të hapet shkolla
në Lekdush dhe ti emërohesh mësues i shkollës. U gëzova shumë. Më përgatitën
lejen zyrtare për hapjen e shkollës. Të nesërmen shkova në Lekdush dhe ia
dorëzova lejen kryesisë së fshatit. Mbas tre-katër ditësh shkova përsëri në
Vlorë dhe mora disa tekste abetare të përgatitura nga mësonjësi Kol Kamësi në
dialektin gegërisht. Por gjeta belanë se librari donte të më jepte edhe një
sasi librash italisht. Unë i refuzova e nuk i mora. I them se nuk kemi mësuar
akoma shkrimin shqip. Shkollën e çela më datën 22 nëntor 1919 me 64 nxënës,
djem e vajza. Fillimisht si klasë mësimi bëmë haurin e Mete Llapit e më vonë
morëm haurin e Belul Zenelit. Nxënësit e mi të parë janë Bilush Shehu, Axhem
Shehu, Nehat Serjani, Memo Gaxhaj, Luto Shehu etj. Nxënësit ishin të zellshëm
për të mësuar. Por çudia do të ndodhte kur akoma nuk kishin kaluar as dy muaj
nga çelja e saj, disa nga fshatarët nuk e shikonin me sy të mirë hapjen e
shkollës. Filluan të flisnin se Sinan Kërpi e bëri shkollën Amerikë të dytë.
Sipas mendimit të tyre unë e hapa që të merrja rrogën duke ndenjur edhe pse unë
paguhesha nga prefektura e Vlorës me 250 lireta në muaj. Duke mos e kuptuar
rëndësine e shkollës, një ditë, disa nga ata kishin dërguar Mujo Hysin i cili
ishte bekshiu i fshatit, për të mbyllur shkollën. Ai kishte shkuar që në
mëngjez në shkollë i kishte nxjerrë nxënësit jashtë dhe u kishte shuar zjarrin.
Kur shkova unë, nxënësit i gjeta jashtë. Pyeta Bilushin të cilin e kisha
caktuar kujdestarin e klasës, pse nuk kishin hyrë brënda. Bilushi më tregoi me
dorë Mujon. E pyes Mujon ç’farë kishte ndodhur. Ai më thotë se më ka urdhëruar
këshilli i fshatit ta mbyll dhe ata kanë marrë urdhër nga qeveria. Shkova e
takova Rakip Xhekën e Shaqo Karanin dy bashkëfshatarët e mi. Ata më thonë se
kemi urdhër nga karabinieria e Progonatit që ta mbyllim. Po atë ditë unë shkova
në Progonat dhe protestova te marshalli i karabinierisë i cili në fakt nuk
kishte fare dieni. Kuptova që mendimi i këtyre bashkëfshatarëve, ishte thjesht
një veprim i pa matur. Të nesërmen erdhën në fshat pesë xhandarë. I thirrën ata
të tre por gjetën vetëm Rakip Xhekën se të tjerët ishin fshehur. Pasi ikën
xhandarët, fajtorët erdhën e m’u lutën që t’i falja. Po atë ditë shkova në
Progonat dhe iu luta marshallit që t’i falte duke e sqaruar se e kanë bërë nga
që nuk dinë. Marshalli nuk i thirri as Shaqon as Mujon, por Rakipin e kapën dhe
e morën. Më erdhi keq për të gjorin, nuk kishte me vete as të holla dhe unë i
dhashë 8 lireta e gjysmë. Rakipin e dërguan në Vlorë dhe e dënuan gjashtë muaj
burg. Më erdhi keq që këta njerëz të mirë të cilët nuk e kuptonin rëndësinë që
kishte shkolla shqipe, kërkonin që ajo të mbyllej! Në Lekdush me sa mbaj mend
unë, kurrë nuk ishte hapur asnjë shkollë as turke e as greke, ishte hera
e parë që u hap shkolla shqipe.
Kushtet
ku mësonin nxënësit ishin mjaft të vështira, nuk kishim as banka e as libra.
Ato pak abetare që unë mora në Vlorë në dialektin gegërisht, i përshtata në
dialektin toskërisht. Megjithë vështirësitë dhe kushtet e papërshtatshme, unë
ia arrita qëllimit dhe hapa shkollën në fshat. Sot e ndjej veten të lumtur për
atë shkëndijë të vogël drite që ndeza dikur në fshatin tynë të dashur Lekdush.
Për ato vite mund të flasë dhe nxënësi im Bilush Shehu i cili ishte dhe
kujdestari i klasës i cili ishte më i madh në moshë nga të tjerët, por
edhe të tjerë si Nehat Serjani, Axhem Shehu, Memo Gaxhaj etj. Vazhdova
punën e mësuesit deri në fund të qershorit 1920 sepse qysh më 20 maj të
atij viti, kishte ardhur urdhëri i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare i cili
kërkonte vullnetarë për çlirimin e Vlorës nga okupacioni italian. U nisa për në
Vlorë me grupin e parë të lekdushasve burra të armatosur, Belul Zeneli, Shefqet
Shehu, Dervish Çulli, Salldin Brahimi, Selim Zanaj dhe më datën 2 qershor,
mbritëm në Beun të Vlorës. Grupi tjetër i përbërë nga 53 burra lekdushas me
kryetar Muharrem Meçaj, shkuan për çlirimin e Tepelenës nga forcat italiane që
kishin pushtuar këtë qytet. Në këtë periudhë tre mujore që unë qëndrova
në luftën e Vlorës, mësues në shkollën e fshatit shkoi
bashkëfshatari im Muharrrem Mullai...
Athinë 26.08.2011
Luan
Ziflo
No comments:
Post a Comment